Presidenti Bamir Topi flet nga Restorant Uraniku

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, sot (15.04.2010) iu drejtua qytetarëve të Dibrës në një tubim të zhvilluar në Restorantin Uraniku, pjesë e komleksit të Banjave të Dibrës Capa.

Vizita e Presidentit Topi në qytetin e Dibrës vijoi me ceremoninë për nderimin e tij me titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Për merita të veçanta në promovimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe afrimin e popujve dhe të shteteve në rajon”.

 

Tepër i emocionuar nga ky nderim i veçantë e kuptimplotë, Kreu i shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen duke theksuar se ky titull u përket të gjithë shqiptarëve, të cilët ai si President i Republikës së Shqipërisë i përfaqëson. “Unë sot jam dhe ndjehem një qytetar i Dibrës”, - u shpreh Presidenti Topi, - “dhe kjo për mua do të mbetet një vizitë e paharrueshme”. Pasi vlerësoi lart vlerat, kulturën dhe traditën e zonës së Dibrës, por dhe historinë e saj, Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për të gjithë atë trashëgimi që dibranët kanë gdhendur në pasurinë shqiptare të vlerave. Kryetari i Shtetit shqiptar vuri në dukje se promovimi i politikave të fqinjësisë së mirë është prioritet i shtetit shqiptar dhe nënvizoi se “gjithë institucionet në Shqipëri janë të motivuara për të ndërtuar infrastrukturën për të rivitalizuar korridorin tradicional të rrugës së Arbrit, i cili besojmë se do të përfundojë në një periudhë sa më të shpejtë duke afruar popujt tanë gjithnjë e më tepër”. Pasi i shprehu mirënjohjen për nderimin e lartë, Presidenti Topi u nda me të pranishmit në ceremoni duke i uruar atyre mbarësi, begati e prosperitet shoqëror.

Presidente Bamir topi në Dibër të Madhe